Syze dielli – Pse janë të nevojshme për tu përdorur?

 

Ndërgjegjësimi ndaj rreziqeve që na shkaktojnë rrezet e forta të diellit është rritur gjatë viteve të fundit. Të gjithë ne vendosim krem mbrojtës në lëkurë kur ekspozohemi në diell. Por cfarë bëjmë konkretisht për të mbrojtur sytë tanë?
Pavarësisht se syzet e diellit janë një aksesor që vështirë se dikush mund ti thotë jo, përfitimet shëndetësore të tyre janë të pamohueshme.
Ka shumë arsye përse duhet të përdorni syzet më shpesh, si gjatë stinës së verës por edhe asaj të dimrit. Duke përdorur syze dielli , ju do të kuptoni se ato bëhen thelbësore për shëndetin dhe sigurinë e syve.

Por konkretisht përse rekomandohet përdorimi i syzeve të diellit?

Sytë tanë janë të ndjeshëm. Ekspozimi i zgjatur në diell mund të çojë në një sërë sëmundjesh. Disa prej tyre janë të dhimbshme dhe irrituese. Por, duke përdorur syze dielli origjinale të një cilësie të lartë ju ndihmoni sytë tuaj për t’ju mbrojtur nga rrezet e dëmshme të diellit.
Por cfarë nënkuptojmë me “syze dielli” të një cilësie të lartë? Kur vendosni të bleni syze dielli,zgjidhni ato që ofrojnë 100% mbrojtje ndaj rrezeve UVA dhe UVB. Kjo siguron mbrojtje të plotë kundrejt rrezeve ultraviolet të diellit.
Gjithashtu kërkoni për syze dielli të cilat kanë lente të mëdha që mbulojnë plotësisht sytë tuaj..

Kanceri i lëkurës

Lëkura rreth syve tuaj,duke përfshirë qepallat është shumë e ndjeshme ndaj dritës së diellit. Rreth 10% e qelizave kanceroze gjenden pranë syve. Duke përdorur syze dielli që ofrojnë 100% mbrotje ndaj rrezeve UVA dhe UVB me lente të mëdha, jo vetëm që mbroni sytë, por edhe lëkurën tuaj.

Kataraktet dhe Glaukomat

Katarakti njihet në gjuhën popullore si perdja e syrit. Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve UV të diellit kontribuon në krijimin e katarakteve. Gjithashtu,ekspozimi ndaj rrezeve UV mund të përkeqësojë simptomat e glaukomës, një tjetër gjendje serioze e syrit e cila mund të rezultojë në verbëri.
Duke vendosur syze dielli ndihmoni në uljen e rrezikut të kataraktave ose komplikimeve të glaukomës.

Degjenerimi makular

Degjenerimi makular është një gjendje në të cilën një pjesë e retinës, e quajtur makula,përkeqësohet duke shkaktuar shikim të dëmtuar dhe në shumë raste verbim. Disa lloje të rrezatimit UV mund ta përshpejtojnë këtë proces, kështu që duke përdorur syze dielli kjo mund tju mbrojë.

Njolla të kuqe në sy

Të njohura në gjuhën shkencore si pterygium,këto njolla të kuqe formohën rreth irisit të syrit dhe janë të bezdisshme. Por,ndonjëherë ato rriten dhe mund të arrijnë deri te bebja e syrit duke penguar shikimin.

Dhimbja e kokës

Drita e fortë e diellit mund të bëhet shkaktare për dhimbjet e kokës madje dhe migrenën. Përdorimi i syzeve të diellit mund të ndihmojë në zvogëlimin e frekuencës së ripërsëritjes të dhimbjeve të kokës. Edhe nëse nuk vuani nga dhimbjet e forta të kokës ose nga migrena, duke përdorur syze dielli gjatë ekspozimit të gjatë në diell, kjo gjë ndihmon në shplodhjen e syve tuaj.

Syzet e diellit të bëjnë të dukesh bukur

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, syzet e diellit janë  aksesorë që plotësojnë veshjen tonë. Ato vijnë më forma, stile dhe ngjyra të ndryshme. 
Pra, si përfundim duke vendosur syze dielli jo vetëm që dukeni me stil por edhe mbroni shëndetin tuaj.