Syri dembel, i njohur me emrin shkencor ambliopia, është një çrregullim i zhvillimit të shikimit në të cilin një sy nuk arrin të ketë shikim normal si syri tjetër, madje edhe me syze optike ose lente kontakti. Ambliopia është termi mjekësor i përdorur kur pamja e njërit sy reduktohet sepse nuk realizohet bashkëveprimi me trurin. Syri duket normal, por për arsye të ndryshme truri favorizon syrin tjetër në shikim.
Syri dembel fillon gjatë fëmijërisë dhe në shumicën e rasteve preket vetëm njëri sy. Por në disa raste, shikimi i reduktuar mund të shfaqet në të dy sytë. Nëse syri dembel zbulohet në fillimet e tij dhe trajtohet menjëherë, shikimi i reduktuar mund të shmanget. Por nëse nuk trajtohet, syri dembel mund të shkaktojë probleme të konsiderueshme në shikim.  Nëse me kalimin e viteve syri dembel lihet pas dore dhe syri tjetër përjeton çrregullime të tjera të shikimit, si p.sh miopi apo hipermetropi atëhere problemet tuaja në shikim do të jenë vertetë të mëdha.
Syri dembel është shkaku më i zakonshëm i dëmtimit të shikimit tek fëmijët. Nëse nuk trajtohet me sukses në fëmijërinë e hershme, syri dembel zakonisht vazhdon të përparojë në mosha më të mëdha. Rekomandohet që deri në moshën 7-10 vjeçare të bëhen vizita të rregullta okulistike të cilat provojnë shikimin e njejtë në të dy sytë. Pas kësaj moshe mundësitë për përmirësim janë të vogla.

Shenjat

Shumë njerëz me syrin dembel, sidomos atyre që u shfaqet në forma më të buta, nuk janë të vetëdijshëm për çrregullimin e tyre në shikim, deri sa testohen në mosha më të mëdha.
Për shkak se syri dembel, zakonisht është një problem në zhvillimin e shikimit të fëmijëve, simptomat mund të jenë të vështira për t’u dalluar.
Një faktor që ndikon te syri dembel është strabizmi. Pra, nëse vini re se fëmija juaj  ka sy jo të koordinuar me njëri-tjetrin, planifikoni menjëherë një vizitë okulistike – mundësisht me një optometër ose okulist që është i specializuar në shikimin e fëmijëve.
Një tjetër shenjë që tregon se fëmija juaj mund të ketë syrin dembel është nëse ai ose ajo fillon të ketë probleme në shikim kur ju i mbuloni me dorë ose me letër syrin i cili ka këtë çrregullim të shikimit.

Shkaktarët

Syri dembel mund të formohet nga çdo kusht që parandalon syrin nga fokusimi në mënyrë të qartë. Ambliopia mund të shkaktohet edhe nga mosangazhimi i të dy syve në shikim. Një shkak tjetër i përbashkët i syrit dembel është paaftësia e njërit sy për të përqëndruar, në krahasim me tjetrin.

Syri dembel strabik.

Strabizmi është faktori më i zakonshëm që ndikon në krijimin e syrit dembel. Për të shmangur shikimin e dyfishtë të shkaktuar nga kordinimi i ulët i syze, truri injoron syrin e dobët, duke e çuar atë sy në sy dembel.
Syri dembel refraktiv.
Ndonjëherë, syri dembel shkaktohet nga crregullimet në shikim, në të cilat njëri sy i ka dhe syri tjetër jo.

Për shembull, njëri sy mund të ketë problem të shikimit për afër ose për larg, ndërkohë që syri tjetër jo. Për rrjedhojë, truri anashkalon syrin me problem duke i dhënë përparësi në shikim syrit tjetër.
Gjithashtu, syri dembel shkaktohet edhe nga katarakti, njohur ndryshe si perdja e syrit. Në momentin që njëri prej syze shikon në mënyrë të mjegulluar, truri e injoron atë.

 

Trajtimi

 

Copë e vendosur mbi sy

Te fëmijët, nëse syri dembel evidentohet që në moshë të vogël, gjëja më e mirë që mund të bëhet është që syri i cili i perfomon më mirë në krahasim me syrin tjetër të mbulohet me një copë apo letër dhe fëmija të shikojë vetëm me syrin dembel.  Një copë ngjitëse vendoset mbi syrin më të fortë për disa javë. Kjo terapi e detyron fëmijën të përdorë syrin dembel. Kjo mënyrë trajtimi stimulon shikimin në syrin më të dobët duke i dhënë mundësinë trurit për ta favorizuar atë në shikim.

Atropina

Pika të një medikamenti të quajtur atropinë hidhen në syrin me shikimin më të fortë. Atropina turbullon shikimin në mënyrë që fëmija të fillojë të përdorë syrin dembel.

A mund të trajtohet syri dembel tek të rriturit?

Studimet mbi këtë temë janë të kufizuara dhe shkencëtarët nuk e dinë shkallën e suksesit që mund të arrihet për trajtimin e syrit dembel tek të të rriturit. Gjatë 7 deri në 10 vitet e para të jetës, sistemi ynë i shikimit zhvillohet me shpejtësi. Lidhje të rëndësishme midis syrit dhe trurit janë krijuar gjatë kësaj periudhe të rritjes dhe zhvillimit.  Për këtë arsye syri dembel trajtohet me vështirësi tek të rriturit.